Rusia përpiqet të bllokojë WhatsApp-in, Meta premton rikthimin e shërbimeve

Aplikacioni i mesazheve WhatsApp ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të bllokojë shërbimet e tij, pasi platforma u ka ofruar përdoruesve të drejtën për komunikim të sigurt e të koduar. Në një komunikatë të enjten, kompania në pronësi të Meta-s u zotua se do të vazhdojë përpjekjet për ta rikthyer shërbimin edhe për përdoruesit në Rusi.
Sipas WhatsApp-it, Moska po synon të bllokojë platformën për mbi 100 milionë qytetarë rusë, duke e akuzuar për mosbashkëpunim me organet e rendit në rastet e mashtrimeve dhe terrorizmit.
Në të njëjtën kohë, Rusia ka nisur të kufizojë edhe disa thirrje në Telegram dhe WhatsApp. Nga ana e saj, Telegram bëri të ditur se moderatorët po përdorin mjete të inteligjencës artificiale për të monitoruar pjesët publike të platformës dhe për të hequr miliona mesazhe të dëmshme çdo ditë, përfshirë thirrje për dhunë dhe mashtrime.
Përplasja e Rusisë me platformat e huaja të teknologjisë ka vite që zgjat, por është përshkallëzuar ndjeshëm pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022. Kritikët e shohin këtë si një përpjekje të Kremlinit për të zgjeruar kontrollin mbi hapësirën e internetit në vend.