Shqipëria njeh një tjetër arritje: Autoriteti i Aviacionit Civil certifikohet nga NATO për Vlefshmërinë Ajrore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë një lajm të rëndësishëm për vendin, duke bërë të ditur se Autoriteti i Aviacionit Civil i Shqipërisë është njohur zyrtarisht nga NATO për Vlefshmërinë Ajrore.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama e cilësoi këtë zhvillim si një dëshmi konkrete të përparimit të Shqipërisë në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil.
“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë se Autoriteti i Aviacionit Civil i Shqipërisë është njohur nga NATO për Vlefshmërinë Ajrore, duke përmbushur plotësisht standardet e përcaktuara nga Aleanca e Atlantikut, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi kryeministri.
Njohja nga NATO përfaqëson një avancim të rëndësishëm për Shqipërinë në kuadër të integrimit të mëtejshëm në strukturat euroatlantike dhe konfirmon angazhimin e saj për të respektuar kriteret e sigurisë dhe profesionalizmit në sektorin e aviacionit.