Kosova

Ngërçi institucional në Kosovë, mbi 50 seanca pa sukses për konstituimin e Kuvendit – Profesori amerikan kërkon lidership të guximshëm

Kosova vazhdon të mbetet në një krizë të thellë institucionale, pasi edhe pas më shumë se 50 seancash të thirrura nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ende nuk është arritur të konstituohet Kuvendi i ri. Mospajtimet politike mes pozitës dhe opozitës kanë bllokuar procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, duke krijuar një situatë të paprecedentë për vendin.

Lëvizja Vetëvendosje, që doli fituese e zgjedhjeve me 48 ulëse, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por ky propozim nuk ka marrë mbështetjen e opozitës. Përkundrazi, kjo e fundit ka refuzuar të marrë pjesë në votimin e fshehtë, duke e penguar vazhdimisht procesin.

Ngërçi politik dhe institucional po shqetëson edhe ndërkombëtarët. Profesori amerikan David Phillips, në një prononcim për Front Online, ka bërë thirrje për vendimmarrje të guximshme dhe lidership të përgjegjshëm. “Nuk më takon mua të them se kush duhet të tërhiqet. Dikush duhet të marrë vendime të vështira për të krijuar hapësirën politike që Kosova të zhvillohet. Kauza kombëtare është më e rëndësishme se çdo individ i vetëm”, deklaroi ai.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur afatin përfundimtar për konstituimin e Kuvendit më 26 korrik 2025, ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar sqarime lidhur me mundësinë e një shtyrjeje të këtij afati, në rast se arrihet një marrëveshje politike.

Në mungesë të një zgjidhjeje konkrete, vendi rrezikon të futet në një fazë edhe më të thellë të pasigurisë politike dhe institucionale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button