Bota

Shqipëria, destinacion i ri për blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt: 1.3 miliardë euro prona të blera që nga viti 2021

Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare. Çmimet ende të favorshme në krahasim me rajonin, si Kroacia apo Mali i Zi, e kanë bërë tregun shqiptar një alternativë joshëse për investitorët e huaj.

Sipas një analize të revistës ekonomike Monitor, e cila citohet edhe nga albinfo.ch, në vitin 2024 të huajt blenë prona në Shqipëri me vlerë rreth 380 milionë euro. Ndërkohë, nga viti 2021 e deri në mars të vitit 2025, vlera e përgjithshme e pronave të blera nga shtetas të huaj kap shifrën e 1.3 miliardë eurove, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Këto transaksione klasifikohen si investime të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Ky sektor po zë një peshë gjithnjë e më të madhe në ekonominë shqiptare. Në vitin 2014, blerjet e pronave nga të huajt përbënin vetëm 5.7% të investimeve të huaja direkte, ndërsa në vitin 2024 kjo peshë arriti në 24%.

Rekordi i deritanishëm është shënuar në tremujorin e parë të vitit 2025, kur blerjet e pasurive të paluajtshme nga të huajt përfaqësuan gati 29% të të gjithë fluksit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Vetëm për këtë tremujor, totali i investimeve të huaja ishte 362 milionë euro, me një rritje prej 2.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo tendencë reflekton jo vetëm rritjen e interesit për tregun imobiliar shqiptar, por edhe sfidën për të balancuar zhvillimin ekonomik me ruajtjen e aksesit të qytetarëve vendas në tregun e banesave, veçanërisht në zonat turistike.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button