Kosova

Shpërthimi në oborrin e QKUK-së – arrestohen 11 persona, mes tyre edhe ish-punëtori i IT-së, Faton Hajzeraj

Në muajin prill të këtij viti, në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ndodhi një shpërthim, cak i të cilit ishte vetura e drejtorit të atëhershëm të këtij institucioni, Osman Hajdari.

Pas disa muaj hetimesh, Drejtoria kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda e Policisë së Kosovës ka ndaluar dje 11 persona të dyshuar për këtë rast të ndodhur më 30 prill 2025.

Burime të Klan Kosovës bëjnë me dije se mes të arrestuarve është edhe Faton Hajzeraj, i cili deri në momentin e arrestimit ka qenë i punësuar në sektorin e IT-së në QKUK.

Lidhur me këtë, televizioni ka kërkuar sqarime nga QKUK nëse i arrestuari vazhdonte të ishte në marrëdhënie pune në këtë institucion, pavarësisht se më herët ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë. Megjithatë, zyrtarët e QKUK-së nuk kanë mundur ta konfirmojnë nëse bëhet fjalë për të njëjtin person.

“Ende nuk kemi ndonjë konfirmim që Faton Hajzeraj, emri i të cilit është lakuar në media, është i njëjti që punon në QKUK! Shpresoj që nesër do të kemi më shumë informata”, tha për Klan Kosovën Mentor Zejnullahu, ushtrues detyre i drejtorit të QKUK-së.

Hajzeraj në shtator të vitit të kaluar kishte qenë i akuzuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, lidhur me një tender për montimin e kamerave në QKUK. Sipas aktakuzës së publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, ai bashkë me dy zyrtarë të tjerë, në dhjetor 2020, kishin nënshkruar një raport fiktiv për përfundimin e punimeve, ndonëse projekti nuk ishte realizuar dhe pajisjet nuk ishin funksionale.

Në atë kohë, Prokuroria pretendonte se veprimet e tyre i kishin shkaktuar QKUK-së dëm financiar prej mbi 104 mijë euro. Mirëpo, më 17 shtator 2024, Gjykata shpalli të pafajshëm Hajzerajn dhe dy të akuzuarit e tjerë, duke konstatuar se nuk ishte provuar vepra penale.

Hetimet për shpërthimin e prillit në QKUK vazhdojnë, derisa Policia ka ndaluar 11 të dyshuar për të cilët pritet që Prokuroria të vendosë mbi masat e mëtejshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button