Bota

Shpërthimi i virusit Chikungunya në Kinë: Mbi 7,000 raste të raportuara në Guangdong

Mbi 7,000 raste të virusit Chikungunya janë raportuar që nga korriku në provincën Guangdong të Kinës, duke alarmuar autoritetet shëndetësore dhe detyruar ndërmarrjen e masave të rrepta parandaluese, të ngjashme me ato të pandemisë së Covid-19.

Sipas raportimeve të BBC-së, qyteti më i prekur është Foshan, ku pacientët e infektuar mbahen në spital për të paktën një javë dhe nuk lejohen të largohen pa një test negativ. Për të parandaluar përhapjen, autoritetet kanë vendosur rrjeta kundër mushkonjave mbi shtretërit e të prekurve.

Virusi Chikungunya përhapet nëpërmjet pickimit të mushkonjave të infektuara dhe shkakton simptoma të tilla si ethe të larta dhe dhimbje të forta të kyçeve, të cilat në disa raste mund të zgjasin me muaj apo edhe vite. Aktualisht, përtej qytetit Foshan, janë konfirmuar raste edhe në të paktën 12 qytete të tjera të provincës Guangdong. Vetëm gjatë javës së kaluar janë raportuar rreth 3,000 raste të reja.

Megjithëse virusi është i rrallë në Kinë, ai është i përhapur në Azinë Jugore, Juglindore dhe në disa pjesë të Afrikës. Sipas autoriteteve kineze, 95% e pacientëve janë shëruar brenda shtatë ditësh, megjithatë situata ka shkaktuar shqetësim në rrjetet sociale dhe ka nxitur paralajmërime ndërkombëtare.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që udhëtojnë në Kinë të tregojnë kujdes të shtuar, për shkak të përhapjes së virusit.

Çfarë është Chikungunya?
Virusi Chikungunya u identifikua për herë të parë në Tanzani, në vitin 1952, dhe që atëherë është përhapur në më shumë se 110 shtete në mbarë botën. Simptomat shfaqen zakonisht 3 deri në 7 ditë pas pickimit dhe përfshijnë:

Ethe të larta

Dhimbje të forta në kyçe

Skuqje të lëkurës

Dhimbje koke dhe muskujsh

Aktualisht nuk ka një kurë specifike, por vdekshmëria nga virusi është e rrallë. Rreziku më i madh i kanoset foshnjave, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit është eliminimi i vendeve me ujë të ndenjur, ku zakonisht shumohen mushkonjat.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button