Kosova

Shkollat në rrezik boshatisjeje – SBASHK alarmon për ikjen masive të mësimdhënësve dhe nxënësve nga Kosova

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Vjollca Shala, ka ngritur alarmin për një krizë të thellë në sistemin arsimor të Kosovës, duke paralajmëruar rrezikun e boshatisjes së shkollave nga mësimdhënësit dhe nxënësit, si pasojë e emigrimit të vazhdueshëm drejt vendeve evropiane.

Në një deklaratë për Ekonomia Online, Shala tha se shkak kryesor për këtë fenomen janë kushtet e dobëta të jetesës dhe pagat e ulëta në sektorin e arsimit në Kosovë, në krahasim me mundësitë që ofrojnë vendet perëndimore.

“Shumë shqetësuese janë informacionet që po i marrim nga terreni për largimin e nxënësve nga shkollat e Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe për largimin e mësimdhënësve. Shumica po emigrojnë në Evropë, ku gjejnë kushte më të mira për jetesë dhe paga më të larta për punë arsimore,” tha Shala.

Ajo paralajmëroi se nëse ky trend vazhdon, shumë shkolla rrezikojnë të mbesin pa staf arsimor dhe pa nxënës. Sipas saj, mësimdhënësit që emigrojnë janë të gatshëm të mësojnë gjuhën e shteteve pritëse, pasi tashmë kanë përvojë profesionale të mjaftueshme për të vazhduar punën jashtë vendit.

Shala gjithashtu kritikoi institucionet shtetërore për mungesë të përkushtimit ndaj sistemit arsimor dhe për vonesat në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit.

“Duke mos pasur siguri në shkollat tona, kushtet e punës dhe nivelin e pagave, është e kuptueshme pse njerëzit po zgjedhin të largohen. Liberalizimi i vizave vetëm e ka lehtësuar këtë proces. Familjet po largohen për të provuar një jetë më të mirë dhe shumë prej tyre vendosin të qëndrojnë atje,” theksoi ajo.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga SBASHK është edhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e përvojës së punës. Sipas Shalës, mësimdhënësve u paguhet vetëm 0.25% për çdo vit përvojë, ndonëse vendimi i Gjykatës përcakton 0.5%, çka sipas saj përbën një humbje prej rreth 4% në paga në kushtet aktuale të rritjes së kostos së jetesës.

Ajo përmendi edhe ngecjen në procesin e nënshkrimit të kontratës kolektive ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut, duke theksuar se kjo vonesë po dëmton më tej të drejtat e punëtorëve të arsimit.

“Përgjegjës për këtë gjendje është vetë shteti. Është koha që institucionet të veprojnë, para se të jetë tepër vonë,” përfundoi Shala.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button