Bota

Shkarkohet drejtoresha e CDC-së, dorëhiqen drejtues të tjerë mes krizës në shëndetin publik

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar shkarkimin nga detyra të drejtoreshës së Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Susan Monarez, pasi ajo refuzoi të jepte dorëheqjen. Në deklaratën zyrtare u tha se Monarez “nuk ishte e përafruar me agjendën e presidentit” dhe për këtë arsye u largua nga posti.

Pak më herët, Departamenti i Shëndetësisë kishte njoftuar për largimin e saj, ndërsa avokatët e Monarez reaguan duke thënë se ajo nuk ishte informuar për vendimin dhe se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen. Ata akuzuan sekretarin e Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., se po “armatos shëndetin publik” duke ushtruar presion politik dhe duke larguar ekspertët.

Dr. Monarez, shkencëtare e karrierës në administratën federale, ishte emëruar nga ish-presidenti Donald Trump dhe u konfirmua në korrik me votat e republikanëve në Senat. Ajo ishte drejtoresha e parë e CDC-së në 50 vjet pa diplomë mjekësore, me profil në kërkimin e sëmundjeve infektive.

Shkarkimi i saj u pasua nga një valë dorëheqjesh brenda agjencisë. Shefja mjekësore Debra Houry paralajmëroi në një letër për “rritjen e dezinformimit mbi vaksinat” dhe kritikoi planet për shkurtime buxhetore. Daniel Jernigan, drejtor i Qendrës për Sëmundjet Infektive dhe Zoonotike, dha dorëheqjen duke përmendur “kontekstin aktual në departament”. Po ashtu, Demetre Daskalakis, drejtor i Qendrës për Imunizim dhe Sëmundje Respiratore, u largua duke thënë se nuk mund të vazhdonte punën “për shkak të politizimit të shëndetit publik”.

Sipas mediave amerikane, dorëheqje ka dhënë edhe Jennifer Layden, drejtoreshë e Zyrës për të Dhënat dhe Teknologjinë e Shëndetit Publik.

Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi vaksina të reja kundër Covid, por vetëm për të moshuarit dhe personat me sëmundje shoqëruese, duke përjashtuar të rinjtë dhe fëmijët e shëndetshëm.

Kriza në CDC vjen gjithashtu pak ditë pasi sindikata e punonjësve bëri të ditur se rreth 600 punonjës ishin pushuar nga puna, mes tyre edhe ekspertë që punonin për gripin e shpendëve, rreziqet mjedisore dhe menaxhimin e të dhënave publike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button