
Në hyrje të Shijakut, ajo që ta vret syrin është një tabelë “Mos hidhni mbeturina!”, ku si për ironi të fatit, është ngulur në një pirg mbetjesh. Por kjo nuk është asgjë krahasuar me situatën në çdo cep të qytetit. Episodin e shkuar “Piranjat” transmetuan me zë, figurë, dëshmi, fakte, shifra, se si bashkia e Shijakut e cila i përket qarkut të Durrësit, duhet të kishte një kontratë me landfillin e Sharrës për depozitimin e mbetjeve të qytetit, por nuk e kishte. Dhe mbeturinat ilegalisht grumbullohen dhe depozitohen nga mjetet e firmës kontraktuese AMR në fshatin Hardhishtë, pranë vendbanimeve, pranë lumit, pranë tokave bujqësore, produktet e së cilave konsumohen nga banorët e zonës, dhe jo vetëm. U tregua se si në këtë pjesë toke, pa asnjë leje mjedisore, pa asnjë kusht teknik, pa asnjë miratim nga instancat përkatëse, në mënyrë kriminale, derdhen tonelata mbetje, hapen gropa për t’u mbushur më pas, bëhen pazare për hedhjen e mbeturinave edhe nga private, por kryetari i Bashkisë mohoi gjithçka. Dhe si të mos mjaftohej me mohimin e gjithçkaje të faktuar, ai u shpreh i bindur se plehrat e qytetit pastrohen çdo ditë.
Gazetari i “Piranjave”, Freard Rista u gjend sërish në qytetin e Shijakut ditën e hënë, më datë 21 prill, dhe situata ishte tepër skandaloze, në disa pika pranë mbikalimit të Katund-Sukthit. Plehrat kanë mbuluar trotuarin, korsisë e biçikletave dhe kanë përfunduar në rrugë. Në ato pika mund të gjenden mbetje nga më të ndryshmet, nga ato të përditshmet që grumbullon çdo familje e deri te gomat, divanet, hidrosanitaret, dhe çdo gjë pranë vendbanimeve, bizneseve, tokave bujqësore. Por Shijaku nuk është i vetmi qytet i qarkut Durrës me një situatë të tillë. Nëse ngjit rrugën për në Kodër-Dollakë, fshati Kameras, Fushë-Krujë, vërehet se aty ku bashkia prej vitesh ka ndërtuar me mendjen e saj, një landfill për depozitimin e mbetjeve të qytetit. Pa një plan të qartë dhe të rregullt i cili përmbush kushtet e duhura për një landfill apo leje mjedisore specifike nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Sepse edhe Fushë-Kruja, e cila është pjesë e Bashkisë Krujë dhe pjesë e qarkut Durrës, duhet të depozitojë mbetjet në ZMM-në e Tiranës, në Sharrë. E vetmja gjë që ka bërë bashkia e Krujës, është një projekt-zbatim i muajit gusht 2019, me në fokus shërbim mirëmbajtje venddepozitimi mbetjesh të ngurta urbane, ku ka përcaktuar si zonë Kodër-Dollakën në fshatin Kameras. Dhe shkeljet apo parregullësitë e këtij projekti, janë flagrante. Edhe pse zona e Krujës nuk ka asnjë landfill të licensuar, hartuesit e projektit në krye të dokumentit nuk ngurojnë ta quajnë Kodër-Dollakën një landfill, ndërsa mes rreshtave e cilësojnë si një sanitary landfill në kategorinë C2. Gjithashtu, vërejmë se sipas relacionit teknik të përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, afati i përdorimit parashikohet 3 vjet, deri në përfundimin e landfillit të licensuar në Tiranë, ndërsa në krye të plan-zbatimit, kohëzgjatja është 5 vjet. Dhe nga gushti 2019 deri më sot kanë kaluar 5 vite e 8 muaj. Ndërsa mali me plehra është ende aty. Kompania kontraktuese në ndihmë të bashkisë është “Alba Konstruktion“, e cila disponon vetëm leje mjedisore të tipit C, leje e cila është shfuqizuar dhe për landfillet duhet disponimi i lejeve të tipit A dhe B, leje të cilat Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk i ka miratuar për vendndodhjen Kodër-Dollakë, fshati Kameras, Fushë-Krujë. Pamjet tregojnë qartë se mbetjet në këtë zonë kanë dalë jashtë kontrollit… ato i gjen kudo në rrugën që të çon brenda vend-depozitimit. Gjithashtu vlen të përmendet se qëllimi kryesor i këtij projekti, ka qenë nënshtrimi i vend-depozitimit për rehabilitim dhe përmirësim, diçka që mesa duket ka mbetur vetëm në letër, pasi në terren pamjet flasin vetë. Rrethimi i këtij vend-depozitimi është bërë vetëm nga një krah, me një rrjetë të thjeshtë, ndërsa nga ana ballore, mbetjet janë të pakontrolluara. Ato gjenden kudo. Sipas projektit të “skaduar“ të vitit 2019, sipërfaqja në dispozicion për grumbullimin e mbetjeve është 16.545 m2, ndërsa ajo e mbushur 3822 m2. Parashikimet janë që të derdhen 50 ton mbetje çdo ditë, me një kapacitet maksimal 25 mijë m3 në 5 vite. Dhe sipas llogarive të ekspertëve, duke hedhur çdo ditë 50 ton mbetje, për të plotësuar kapacitetin maksimal 25.000 m3 do të duhej jo më shumë se 2 vite, ndërsa aktiviteti aty vijon me ritme të pandalshme për 5 vite e 8 muaj nga miratimi i projektit, duke krijuar në fshatin Kameras një mal artificial mbeturinash. Një vendgrumbullim që duhet të jetë të paktën 3 km larg banesave, bizneseve, resurseve natyrore…ndërsa në rastin e malit të plehrave në Kodër-Dollakë, ai është fare pranë pyllit, liqenit, të mbjellave, shtëpive, bizneseve…në kundërshti të plotë me legjislacionin në fuqi. Dhe shkeljet nuk mbarojnë këtu! Teksa bashkia e quan landfill këtë vend-depozitim mbetjesh dhe në projekt bashkëngjit disa foto ilustruese se si duhet të jetë një landfill, sqarojmë se kushti bazë është rrethimi me gjeomembranë HDPE, si dhe 3 metra thellësi argjilë e ngjeshur për izolim, fjalë që nuk ekzistojnë në asnjë faqe të projektit, veç materialit shtufë.
Dhe më e habitshmja, diçka që mund të ndodhë vetëm në vendin tonë, një kasolle banimi me dërrasa e plastmasë në cep të të ashtuquajturit landfill, ku mjafton një cigare e ndezur, për t’i vënë flakën gjithë kodrës…duke rrezikuar gjithçka përreth.