Shefja e diplomacisë së BE-së: “Dhënia e territoreve Ukrainës, kurth i Putinit”

Diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar kundër shtytjes së Ukrainës për të lëshuar territore ndaj Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje të ardhshme paqeje.
Në një intervistë për programin Today të BBC-së, Kallas tha se lejimi i Moskës të mbajë territore ukrainase do të ishte një “kurth në të cilin Putini dëshiron që ne të futemi”.
Rajoni i Donbasit, i cili prej më shumë se një dekade është shndërruar në vatër agresioni rus dhe ka detyruar mbi 1.5 milion ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre, mbetet pika më e ndjeshme në bisedimet për paqe. Pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe deklaratave të Donald Trump për “shkëmbim territoresh”, Kievi ka refuzuar çdo ide për t’ia dorëzuar Kremlinit këtë rajon.
Kallas, e cila figuron në “listën e kërkuar” të Rusisë, tha se garancia më e fortë për sigurinë e Ukrainës mbetet “një ushtri e fortë ukrainase”, duke theksuar se çdo marrëveshje duhet të shoqërohet me garanci reale dhe jo thjesht me premtime në letër.
Ajo bëri të ditur se ende nuk ka hapa konkretë për krijimin e një force penguese, por nënvizoi se vendet anëtare të koalicionit ndërkombëtar duhet të përcaktojnë qartë se çfarë do të kontribuojnë.
Këto deklarata vijnë pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë, ku udhëheqës nga Franca, Gjermania, Italia dhe Finlanda, së bashku me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zhvilluan bisedime për paqen, vetëm pak ditë pasi Trump kishte pritur Presidentin rus Vladimir Putin në një bazë ushtarake në Alaska.