SHBA: Rritje rekorde e diagnozave me autizëm te fëmijët në vitin 2022

Qeveria e Shteteve të Bashkuara publikoi këtë javë të dhëna të reja mbi përhapjen e autizmit, të cilat tregojnë se në vitin 2022 u shënua një rritje rekorde e rasteve të diagnostikuara me këtë çrregullim te fëmijët amerikanë.
Autizmi, i njohur ndryshe si Çrregullimi i Spektrit të Autizmit (ASD), është një çrregullim neurologjik dhe zhvillimor që ndikon në sjellje, komunikim, ndërveprim dhe mënyrën e të mësuarit.
Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në vitin 2022, 1 në 31 fëmijë 8-vjeçarë në SHBA u diagnostikua me autizëm – ose 3.2 për qind e popullsisë së kësaj grupmoshe. Kjo paraqet një rritje të dukshme krahasuar me vitin 2000, kur kjo shifër ishte vetëm 0.66 për qind.
Diagnostikimi dhe spektri i autizmit
Diagnostikimi i autizmit nuk realizohet përmes analizave laboratorike, por bazohet në vëzhgime dhe intervista me prindërit dhe fëmijët. Termi “spektër” pasqyron gamën e gjerë të simptomave, që variojnë nga aftësi të kufizuara të theksuara në komunikim dhe sjellje deri te forma më të lehta, ku individët mund të kenë funksionim të pavarur në jetën e përditshme.
Mosha mesatare e diagnostikimit në SHBA është rreth katër vjeç, ndonëse Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon kontrollin që në muajt 18 dhe 24.
Faktorët ndikues
Shkaqet e autizmit nuk janë ende të qarta, por studimet tregojnë se faktorët gjenetikë luajnë një rol të madh – rreth 80 për qind e rrezikut i atribuohet tyre. Faktorë të tjerë të lidhur përfshijnë komplikime gjatë shtatzënisë ose lindjes, lindje të parakohshme, peshë shumë të ulët në lindje, verdhëzën, ndotjen e ajrit, mosha e avancuar e prindërve dhe disa sindroma gjenetike si Fragile X apo Phelan-McDermid.
Megjithëse disa figura publike, përfshirë Sekretarin amerikan të Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., kanë përhapur teori që lidhin vaksinat me autizmin, shkenca ka hedhur poshtë këto pretendime. Asnjë studim i besueshëm nuk ka konfirmuar ndonjë lidhje midis vaksinave dhe autizmit.
Pse po rriten rastet?
Ekspertët theksojnë se rritja e rasteve nuk lidhet vetëm me rritjen e rasteve reale, por edhe me përmirësimet në diagnostikim dhe përkufizimin më gjithëpërfshirës të spektrit autistik. Që nga viti 2013, tri diagnoza të ndryshme – përfshirë çrregullimin Asperger – janë bashkuar nën një term të vetëm: Çrregullimi i Spektrit të Autizmit.
Një studim i fundit në SHBA evidentoi rritje të ndjeshme të diagnozave te grupet që më parë kishin norma të ulëta zbulimi, përfshirë gratë, të rinjtë dhe fëmijët nga pakicat racore dhe etnike.
Tretmani dhe rëndësia e diagnozës së hershme
Aktualisht nuk ka shërim për autizmin, por ndërhyrjet e hershme janë thelbësore për zhvillimin e aftësive kognitive dhe sociale. Terapitë mbështetëse përfshijnë logopedi, terapi profesionale, trajnime sociale dhe plane individuale arsimore.
Ekspertët pajtohen se sa më herët të diagnostikohet një fëmijë, aq më efektiv mund të jetë trajtimi dhe mbështetja që ai merr në rrugën drejt një jete sa më të pavarur.