SHBA heq sanksionet ndaj Millorad Dodikut pas veprimeve konstruktive të Asamblesë së Republikës Sërpska

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka njoftuar se “veprimet konstruktive” të ndërmarra nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska gjatë javëve të fundit kanë ndikuar në vendimin e Shteteve të Bashkuara për të hequr sanksionet ndaj ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, si dhe dhjetëra individëve dhe kompanive të lidhura me të.
Dodik, president i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, ishte sanksionuar dy herë më parë për shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe. Sanksionet ndaj tij, familjarëve, kompanive dhe bashkëpunëtorëve të afërt u hoqën të mërkurën.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASH theksoi se veprimet e Asamblesë së entitetit serb “duhet të ndihmojnë në përmirësimin e stabilitetit në Bosnjë dhe të mundësojnë një partneritet me SHBA-në, të bazuar në interesa të përbashkëta, potencial ekonomik dhe prosperitet”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me aktorë politikë në të gjithë Bosnjën për të vendosur prioritete të përbashkëta”, thuhet më tej në reagim.
Përveç Dodikut, nga lista e zezë amerikane janë hequr edhe anëtarja e Presidencës së Bosnjës, Zheljka Cvijanoviq, si dhe mbi 40 individë e subjekte juridike. Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) nuk dha shpjegime shtesë për këtë vendim në njoftimin e saj zyrtar.
Më 18 tetor, Asambleja e Republikës Sërpska miratoi një ligj për shfuqizimin e akteve që më herët ishin shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës. Ligjet përfshinin çështje të pronës publike, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kodin penal dhe institucionet gjyqësore.
Asambleja gjithashtu i bëri të pavlefshme 12 konkluzione parlamentare të dhjetorit 2024, të cilat disa ambasada perëndimore i kishin cilësuar si “kundër Marrëveshjes së Dejtonit”.
Pas dënimit me një vit burgim për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese – dënim që më vonë u zëvendësua me gjobë – Dodikut iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike për gjashtë vjet.
Në seancën e fundit, Asambleja e Republikës Sërpska emëroi Ana Trishiq-Babiq, ish-këshilltare e Dodikut, si presidente në detyrë të entitetit.
/REL/



