SHBA feston 249-vjetorin e Pavarësisë: Parada, fishekzjarrë dhe krenari kombëtare

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot, më 4 Korrik, 249-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar – një nga datat më të rëndësishme në historinë e këtij shteti.
Më 4 Korrik 1776, 13 kolonitë britanike në Amerikën e Veriut shpallën zyrtarisht shkëputjen nga kurora britanike përmes Deklaratës së Pavarësisë, duke nisur udhëtimin e tyre drejt krijimit të një shteti të përbashkët dhe sovran.
Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, e cila u nënshkrua një dekadë më vonë, në vitin 1787, vendosi themelet e qeverisjes amerikane. Ajo e ndau pushtetin në tri degë kryesore: ekzekutive (e udhëhequr nga Presidenti), legjislative (Kongresi) dhe juridike (Gjykata e Lartë), duke krijuar një sistem kontrolli dhe balancash që funksionon ende sot.
Dita e Pavarësisë shënohet në të gjithë vendin me aktivitete të shumta: parada festive, pikniqe familjare, koncerte patriotike dhe spektakle të fishekzjarrëve që ndriçojnë qiellin amerikan në mbrëmje. Qytetarët valëvitin flamujt kuq, bardh e blu, duke rikujtuar sakrificat dhe idealet mbi të cilat u ndërtua kombi amerikan.
Në këtë përvjetor të 249-të, SHBA hyjnë në vitin e fundit drejt 250-vjetorit jubilar, i cili pritet të shënohet me ceremoni të mëdha kombëtare në vitin 2026.