Serbi – Shqipëri, përballje me histori: Sot ndeshja e zjarrtë në Leskovc

E gjithë vëmendja e shqiptarëve nga e gjithë bota është përqendruar sonte në stadiumin “Dubocica” të Leskovcit, ku me fillim nga ora 20:45 do të zhvillohet përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2026.
Kjo ndeshje, për shkak të historisë dhe ndjeshmërisë që mbart, ka zgjuar interesim të madh brenda dhe jashtë rajonit. Megjithatë, autoritetet serbe kanë ndërmarrë masa të ashpra sigurie, për të shmangur çdo incident.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vendosi që takimi të mos zhvillohet në Beograd, por në Leskovc, si dhe të mos lejohen shitje të biletave për publikun e gjerë. Si rezultat, në tribuna do të jenë vetëm rreth 6,500 spektatorë të përzgjedhur, ndonëse stadiumi ka kapacitet mbi 8 mijë ulëse.
Në aspektin sportiv, trajneri Sylvinho ka në dispozicion pothuajse të gjithë lojtarët e tij, përveç Adrion Pajazitit dhe Ardian Ismajlit, të cilët mungojnë për shkak lëndimesh. Nazmi Gripshi është ftuar për të plotësuar listën.
Nga ana tjetër, Serbia do të luajë pa Nikola Milenkovicin, i suspenduar, dhe Sasa Lukicin, i lënduar.
Kujtojmë se në përballjen e parë të këtyre kualifikimeve, më 7 qershor në Tiranë, ndeshja u mbyll me rezultatin 0-0, pas një penalltie të humbur nga Rey Manaj në fund të pjesës së parë.
Në histori, dy kombëtaret janë përballur edhe në kualifikimet e EURO 2016. Atëherë, Shqipëria fitoi në tavolinë në Beograd, pas incidenteve të dhunshme ndaj lojtarëve kuqezi, ndërsa Serbia triumfoi 2-0 në Elbasan.
Sonte, më shumë se një ndeshje futbolli, Serbi–Shqipëri pritet të jetë një duel simbolik, ku kuqezinjtë kërkojnë rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë ëndrrën drejt Botërorit.



