Kosova
Kryesore

Senatorë amerikanë kërkojnë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, kundër ndryshimit të kufijve

Dy senatorë amerikanë, republikani Thom Tillis dhe demokratja Jeanne Shaheen, kanë paraqitur në Kongresin e SHBA-së një amendament që kërkon njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, duke refuzuar çdo politikë që mbështet ndryshimin e kufijve ndërmjet dy vendeve.

Në dokumentin e datës 6 shtator 2025, theksohet se “Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke”. Amendamenti është pjesë e projektligjit për buxhetin ushtarak amerikan për vitin fiskal 2026, i cili përfshin edhe çështje që lidhen me politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor.

Dy senatorët theksojnë në hyrje se Ballkani Perëndimor është një rajon “pluralist dhe multietnik në zemër të Evropës, vendimtar për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien e kontinentit”. Sipas tyre, qëndrueshmëria e këtij rajoni lidhet drejtpërdrejt me përparimin demokratik dhe ekonomik të vendeve përkatëse.

Në Nenin 1280 të amendamentit, që trajton marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, theksohet se:

Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e arritur më 27 shkurt 2023 me ndërmjetësimin e BE-së, përbën një hap pozitiv përpara.

Të dyja vendet duhet të bëjnë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Pasi të arrihet progres, SHBA-ja mund të krijojë dialogë strategjikë me Kosovën dhe Serbinë dhe të ndërmarrë nisma ekonomike e investuese me të dyja palët.

Qëndrimi zyrtar i Kongresit është që marrëveshja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke.

Në pjesën për politikën shtetërore, theksohet se Qeveria e SHBA-së:

Nuk do të mbështesë asnjë politikë që synon shkëmbim territoresh, ndarje apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor;

Do të mbështesë demokracitë pluraliste në rajon, për të shmangur rikthimin e konflikteve etnike që kanë karakterizuar më parë këtë zonë.

Ky amendament ndodhet aktualisht në pritje të shqyrtimit nga Kongresi amerikan, ndërsa vlerësohet si një sinjal i qartë i mbështetjes së SHBA-së për integritetin territorial të Kosovës dhe për një zgjidhje përfundimtare me Serbinë përmes njohjes reciproke.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button