Sekuestrohen pasuritë e babait të një trafikanti: Apartament dhe dy automjete në Tiranë

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, janë sekuestruar pasuritë e shtetasit A.Gj., i cili rezulton person i lidhur me I.Gj., i dënuar më herët për trafikim të personave të rritur.
Sekuestrimi është bërë në kuadër të procedimit pasuror nr. 81, viti 2020, mbi bazën e dyshimeve se pasuritë e përfituara nga familjarët e I.Gj. nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto pasuri janë rezultat i të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal i trafikimit të qenieve njerëzore.
Hetimet kanë zbuluar se shtetasi I.Gj., së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, rekrutonte vajza për prostitucion në drejtim të Italisë. Në vitin 2015, ai u arrestua dhe u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, e cila caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Hetimet janë shtrirë edhe ndaj babait të tij, shtetasit A.Gj., i cili ndonëse me bilanc negativ në banka, figuron si pronar i një apartamenti dhe dy automjeteve. Këto pasuri dyshohet se janë përfituar si rrjedhojë e përfshirjes së të birit në veprimtari kriminale.
Pasuritë e sekuestruara janë si më poshtë:
Apartament nr. 3 me sipërfaqe 117.78 m² në pallatet “SANDY” Sh.P.K, Tiranë;
Automjet tip “Renault Scenic”;
Automjet tip “Lancia Musa”.
Prokuroria vijon hetimet për gjurmimin e pasurive të tjera të dyshimta që mund të jenë përfituar nga veprimtari të paligjshme.