Kosova

Seancë në Prishtinë: Policia nuk e kujton ditën e protestave të 2015-ës, vazhdon gjykimi për huliganizëm

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së mërkurës, po zhvillohet gjykimi ndaj të akuzuarve Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Huli për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve gjatë protestave të vitit 2015.

Në cilësinë e dëshmitarëve, para gjykatës u paraqitën zyrtarët policorë Arben Karameta dhe Blerim Pirraku. Të dy deklaruan se nuk i kujtohet nëse kishin qenë në punë në ditën kritike të protestës.

Polici Karameta tha se për shkak të kohës së kaluar, nuk i kujtohet nëse ka qenë i angazhuar në protestë, por shtoi se kjo mund të verifikohet në Polici. Ai theksoi gjithashtu se nuk ka marrë pjesë në protesta, pasi punon në logjistikë dhe administratë. Karameta tha se ka qenë në dijeni për lëndimin e kolegut të tij, rreshterit Ekrem Vllasa, por nuk ka kujtime konkrete për ngjarjet e ndodhura.

Ndërkaq, polici Blerim Pirraku deklaroi se kishte qenë i angazhuar si polic ndihmës gjatë protestave, por nuk i kujtohen ngjarjet e datave 17 dhe 18 nëntor 2015.

Seanca pritet të vazhdojë pasdite me shikimin e video-incizimit të ditës kritike.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 dhjetor 2015 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjashtë persona akuzohen për pjesëmarrje në protestat e datave 17 dhe 18 nëntor 2015, ku thuhet se protestat kanë eskaluar dhe të akuzuarit kanë sulmuar policët duke përdorur gurë, pllaka betoni dhe mjete të tjera. Për pasojë, disa pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme materiale.

Për të akuzuarit Avdimetaj, Hasani dhe Huli, procedura është veçuar dhe po zhvillohet proces gjyqësor veçmas. Ata ngarkohen për veprat penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, si dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, sipas Kodit Penal të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button