Kosova

Seanca konstituive e Kuvendit ndërpritet sërish, mungon konsensusi mes partive politike

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish pas mungesës së një konsensusi ndërmjet përfaqësuesve të partive politike.

Kryesuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, bëri të ditur se konsultimet paraprake me përfaqësuesit politikë nuk sollën rezultatet e pritura.

“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025, me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”, deklaroi Dehari.

Seanca kishte nisur të martën, por pas votimit të raportit të komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve – me 52 vota për, 46 kundër dhe 11 abstenime – nuk ka pasur asnjë përparim të mëtejshëm. Edhe sot, nuk u arrit të kalohej përtej këtij hapi formal.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa vendi vazhdon të jetë pa institucione funksionale, në pritje të përfundimit të këtij procesi konstituiv.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button