SBASHK-u: Kryesindikalistët që garojnë në zgjedhje japin dorëheqje nga pozitat

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka marrë vendim unanim që udhëheqësit e Shoqatave Sindikale, të cilët garojnë në zgjedhjet komunale të 12 tetorit, të dorëhiqen nga pozitat e tyre ose të shkarkohen deri në përfundim të procesit zgjedhor.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur për IndeksOnline se vendimi është zbatuar dhe se të gjithë kryesindikalistët që kanë vendosur të hyjnë në garë politike kanë dhënë dorëheqje nga funksionet sindikale.
“Të gjithë kolegët tanë që janë kryetarë të shoqatave në shkolla, qoftë në nivel komunal, e kanë respektuar vendimin dhe kanë dhënë dorëheqje. Po e marr shembull Kryetarin e Kuvendit Sindikalistë Parauniversitar në Klinë, i cili është tërhequr nga kjo detyrë pasi ka shprehur dëshirë të garojë në zgjedhje. Kemi dorëheqje edhe nga kryetarë të tjerë të shoqatave sepse nuk është e drejtë që të jenë udhëheqës sindikal e më pas të rreshtohen në ndonjë parti, cilado qoftë ajo,” tha Jasharaj.
Ky vendim i SBASHK-ut vjen me arsyetimin se roli sindikal nuk duhet të ndërthuret me angazhimet partiake.



