Kosova

Beogradi paralajmëron ofensivë diplomatike kundër Kosovës në OKB

Beogradi zyrtar ka bërë të ditur se do të zhvillojë një ofensivë diplomatike kundër Kosovës gjatë sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që po mbahet nga 23 deri më 29 shtator në Nju Jork.

Në Qeverinë e Kosovës dhe në zyrën e Presidencës ende nuk janë dhënë detaje lidhur me hapat që do të ndërmerren në kundërvënie të kësaj fushate.

Presidentja Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA, ka zhvilluar disa takime me komunitetin shqiptar, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit. Përmes një postimi në “Facebook”, Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Ligën Arabe dhe nevojën për mbështetje në procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë hap.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se Beogradi po përgatitet për të shfrytëzuar, siç u shpreh ai, “dështimet diplomatike të Prishtinës”, me synim forcimin e pozitës së Serbisë në raportet me SHBA-në dhe partnerët perëndimorë. Ai madje përmendi një “ndryshim të qëndrimit të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës”, pa dhënë megjithatë detaje konkrete.

Kjo qasje e Serbisë bie ndesh me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023, sipas të cilave Beogradi ishte zotuar të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar gjithashtu pjesëmarrjen në Nju Jork, ku do të zhvillojë edhe një takim me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.

/Koha

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button