Drejtori i AKA-së: Përjashtimi nga ENQA dhe EQAR dëmtoi imazhin e arsimit të lartë në Kosovë

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, ka deklaruar se përjashtimi i kësaj Agjencie nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) dhe nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë (ENQA) në vitin 2018 ka dëmtuar rëndë imazhin e arsimit të lartë dhe të shtetit të Kosovës.
Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Gashi tha se shkarkimi i bordit të AKA-së dhe i ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit nga ana e qeverisë së asaj kohe u pa si ndërhyrje politike, që rezultoi me humbje të autonomisë financiare e institucionale të agjencisë.
“Kjo ndërhyrje është shikuar nga EQAR-i si humbje e autonomisë së Agjencisë së Akreditimit dhe ka rezultuar me rivlerësim të parakohshëm, i cili përfundoi negativisht. Si pasojë, fillimisht u përjashtuam nga EQAR-i dhe më pas nga ENQA, dy institucione shumë të rëndësishme për arsimin e lartë”, tha Gashi.
Ai theksoi se kthimi i agjencisë në këto organizata ka qenë më i vështirë sesa anëtarësimi fillestar, pasi që në vitin 2021 ENQA ka rritur ndjeshëm kriteret për anëtarësim.
“Standardet që kemi plotësuar për rianëtarësim kanë qenë shumëfish më të larta se herën e parë. Puna jonë kryesore ka qenë largimi i stigmatizimit të institucionit dhe plotësimi i 14 standardeve një nga një”, tha Gashi.
Sipas tij, pasojë kryesore e përjashtimit ishte imazhi i sistemit të arsimit të lartë dhe i Kosovës në sytë e institucioneve evropiane.
“Agjencia shihej si e stigmatizuar, për shkak të ndërhyrjes arbitrare të vitit 2018 që theu autonominë institucionale. Domethënë ka qenë shumëfish më i vështirë kthimi sesa anëtarësimi për herën e parë”, përfundoi ai.



