Kosova

SBASHK: Subvencionimi prej 80 eurosh për tekste nuk mjafton për nevojat e nxënësve

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, ka kritikuar subvencionimin nga Ministria e Arsimit prej 80 eurosh për tekste dhe materiale mësimore, duke theksuar se kjo shumë nuk i mbulon nevojat reale të nxënësve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala tha se procesi i aplikimit ka filluar me vonesë, vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, dhe shumë prindër hasin vështirësi në përdorimin e platformës e-Kosova, gjë që krijon pasiguri për sigurimin e teksteve në kohë.

“Subvencionimi prej 80 eurosh nuk është i mjaftueshëm, sepse librat për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën shpesh janë më të shtrenjtë dhe nuk mbulojnë nevojat për blerjen e të gjitha materialeve mësimore,” tha Shala. Ajo theksoi gjithashtu se përdorimi i librave nga vitet e kaluara zvogëlon cilësinë e mësimdhënies, pasi shumë detyra janë tashmë të zgjidhura në librat e përdorur.

Shala ka ngritur shqetësime edhe për vonesat në rimbursimin e subvencionit, që sipas saj ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e vitit shkollor. Ajo kujtoi se më herët librat shpërndaheshin nëpër shkolla para fillimit të vitit shkollor, duke mundësuar që nxënësit të ishin të pajisur me libra që nga dita e parë e shkollës.

“Nga përvoja e dy viteve të fundit, shumë nxënës kanë shkuar gjatë gjithë vitit shkollor pa libra, edhe pse ishte bërë subvencionimi. Shumë familje me kushte ekonomike të vështira nuk kanë përdorur shumën e ndarë për blerjen e teksteve,” tha Shala.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka njoftuar se aplikimi për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova ka filluar më 15 gusht. Për vitin shkollor 2025/2026, do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, dhe po 80 euro për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve të tjera.

Sipas MAShTI-t, brenda gjashtë ditëve të para të hapjes së aplikimit janë pranuar 144,337 aplikime, dhe nuk është regjistruar asnjë ankesë nga prindërit. Ky është viti i tretë radhazi që Ministria e Arsimit përdor këtë formë të subvencionimit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button