SBASHK: Mungesë librash dhe paralajmërim për grevë nëse nuk ka dialog me Qeverinë

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku u trajtuan disa çështje me rëndësi për anëtarësinë dhe sistemin arsimor në vend.
Një nga temat kryesore ishte mungesa e teksteve shkollore, problem i cili po përsëritet edhe këtë vit. Kryetarët e niveleve komunale raportuan se situata është më e theksuar te klasat VI–IX, ku librat mungojnë për shkak të dallimeve në numrin e nxënësve krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, tekstet e dorëzuara shpesh rezultojnë të dëmtuara dhe pothuajse të papërdorshme.
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte shqetësimi për mosformimin e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Sipas SBASHK-ut, vonesat po dëmtojnë procesin arsimor dhe zgjidhjen e kërkesave të kahershme të punëtorëve të arsimit. Sindikata bëri të ditur se sapo të formohet Qeveria, do të nisë dialogun për adresimin e këtyre kërkesave.
Megjithatë, në rast se nuk do të ketë gatishmëri për dialog dhe rezultate konkrete, SBASHK-u paralajmëroi veprime sindikale, duke mos përjashtuar as grevën e përgjithshme.
Gjithashtu, Këshilli Drejtues mori vendim unanim që udhëheqësit e Shoqatave Sindikale, të cilët garojnë në zgjedhjet komunale të 12 tetorit, të dorëhiqen nga pozitat sindikale ose ndaj tyre të ndërmerret vendimi për shkarkim deri në përfundim të procesit zgjedhor.
Në fund të mbledhjes u trajtuan edhe çështje të tjera që lidhen me organizimin dhe funksionimin e sindikatës.