Salzburg: Restorantet vendosin afate kohore për qëndrimin e mysafirëve gjatë periudhave me fluks të lartë

Në Salzburg, gjithnjë e më shumë restorante po aplikojnë afate kohore për qëndrimin e mysafirëve, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të madh, si sezoni i festave. Kjo praktikë, që tashmë është e përhapur në shumë qytete evropiane, po bëhet më e zakonshme edhe në kryeqytetin e landit të Salzburgu, raporton ORF.
Nëpërmjet sistemit të rezervimeve online, mysafirët duhet të përcaktojnë paraprakisht kohëzgjatjen e qëndrimit në restorant. Kjo i mundëson pronarëve të planifikojnë më mirë menaxhimin e tavolinave dhe të përballojnë numrin në rritje të klientëve.
Sipas përfaqësuesve të industrisë nga Dhoma e Tregtisë, kjo praktikë është më e përhapur në restorantet në qendër të qytetit dhe ato luksoze, që operojnë me orare të rezervuara sipas “slot”-eve kohore. Një shembull është Zwettler’s Wirtshaus në Qytetin e Vjetër të Salzburgut, ku tavolinat zakonisht rezervohen për dy orë.
Pronaria Elisabeth Gruber thotë se mysafirët që dëshirojnë të qëndrojnë më gjatë duhet ta njoftojnë këtë më parë gjatë rezervimit. Ajo shton se deri tani nuk ka hasur kritika nga klientët për këtë qasje, duke theksuar se mysafirët e kuptojnë nevojën për këtë rregull: “Pronari duhet të bëjë fitim,” thotë ajo, duke nënvizuar se planifikimi i mirë i rezervimeve lejon përfitime pa stres për të gjithë.
Përfitimet nga vendosja e afateve kohore për qëndrimin në restorante përfshijnë rritjen e numrit të rezervimeve dhe lehtësinë në organizimin e punës, veçanërisht në periudha me shumë klientë.