Rrjet kriminal në MASHTI – Dyshohet manipulimi i konkurseve dhe favorizim i kandidatëve të afërt me drejtuesit

Prishtinë, korrik 2025
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) është tronditur nga një skandal që sipas burimeve të brendshme të institucionit ka përmasat e një rrjeti kriminal të mirëorganizuar, që përdor mekanizma klientelistë për të manipuluar konkurset, për të favorizuar kandidatët e parapërcaktuar dhe për të shpërblyer bashkëpunëtorët e saj me përfitime të jashtëligjshme.
Në qendër të skandalit janë ministrja Arbërie Nagavci, sekretarja e përgjithshme Fadile Dyla, “eksperti i jashtëm” Lulzim Aliu, dhe drejtoresha e Divizionit të Burimeve Njerëzore Ardiana Rrapaj, për të cilët – sipas burimeve të sigurta – është në përgatitje një kallëzim penal për vepra të rënda të sanksionuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, përfshirë keqpërdorimin e pozitës zyrtare, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm dhe favorizimin e kundërligjshëm të kandidatëve.
Konkurs i kurdisur për Drejtor të Arsimit të Lartë
Skandali nisi me konkursin për pozitën e Drejtorit të Departamentit të Arsimit të Lartë, ku fituesi i shpallur – sipas dokumenteve të brendshme – nuk i plotësonte as kriteret minimale ligjore dhe nuk ka asnjë ditë përvojë në arsimin e lartë, ndonëse pozita kërkon ekspertizë të thelluar në këtë fushë.
Burime nga MASHTI konfirmojnë se Lulzim Aliu, i kontraktuar në mënyrë joformale si “ekspert i jashtëm”, ka qenë hartues i testit me shkrim dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në shpërndarjen e përgjigjeve të sakta për kandidatin e parapërcaktuar, duke manipuluar procesin dhe duke shkelur ligjin në mënyrë të hapur.
Sjellje të jashtëligjshme dhe arrogancë
Madje, më 20 shkurt 2025, pas orarit të punës (rreth orës 16:30), Aliu është futur në objektin e MASHTI-t duke refuzuar të legjitimohet kur është ndaluar nga sigurimi dhe Policia, dhe ka vazhduar të lëvizë lirisht nëpër zyre sikur të ishte zyrtar i përhershëm, edhe pse nuk ka as kontratë të rregullt pune.
Sipas dëshmitarëve, kur zyrtari policor i ka kërkuar të identifikohet dhe t’i shpjegojë arsyen e hyrjes pas orarit, Aliu i është përgjigjur me arrogancë:
“Unë hy kur dua dhe dal kur dua dhe nuk kam pse të legjitimohem para askujt.”
Ai ka vazhduar të lëvizë lirshëm, duke mos iu bindur as urdhrave të policisë.
Sipas burimeve, zyrtari policor që ishte në detyrë në momentin e incidentit ka njoftuar organet kompetente për sjelljen e tij, duke dokumentuar rastin si shkelje të rregullave të sigurisë dhe hyrje të paautorizuar në objektin zyrtar.
Shpërblim me rritje page dhe emërime skandaloze
Në shenjë “mirënjohjeje” për rolin e tij në kurdisjen e konkurseve dhe favorizimin e kandidatëve të parapërcaktuar, Lulzim Aliu ka përfituar një rritje page prej 50%, pavarësisht se është vetëm “ekspert i jashtëm” dhe jo pjesë e stafit të rregullt të MASHTI-t.
Ndërkohë, në krye të Inspektoratit të Arsimit, një pozitë kritike për monitorimin e cilësisë dhe ligjshmërisë, është emëruar një person pa asnjë përvojë në arsim, me të kaluar në marrëdhënie me media. Po ashtu, në krye të Departamentit të Arsimit Parauniversitar është vendosur një ish-gazetare, pa asnjë eksperiencë të dokumentuar në politikat arsimore. Burimet nga brenda thonë se në të dyja rastet kanë ndikuar drejtpërdrejt ministrja Nagavci dhe sekretarja Dyla, në koordinim me Ardiana Rrapajn dhe Lulzim Aliun, duke anashkaluar profesionistët e kualifikuar.
Punësime masive të militantëve politikë
Sipas burimeve të brendshme, kjo skemë shtrihet përtej katër emrave të përmendur, duke përfshirë edhe punësime masive të militantëve politikë, kryesisht nga Gjakova, vendlindja e ministres Nagavci, të cilët janë integruar në pozita të ndryshme administrative pa asnjë garë të ndershme dhe pa përvojë relevante.
Shkelje të rënda të Kodit Penal
Veprimet e këtij rrjeti, sipas nenit 414 të Kodit Penal (Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar), nenit 422 (Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm) dhe nenit 424 (Favorizimi i kundërligjshëm i personave të caktuar), përbëjnë vepra penale të dënueshme me burgim dhe gjoba. Burimet thonë se një kallëzim penal ndaj këtyre zyrtarëve është në përgatitje, dhe do të dorëzohet brenda pak ditësh.
Thirrje për hetim dhe përgjegjësi
Ky rast i rëndë ngre pyetjen: A është shndërruar MASHTI në një agjenci punësimi për militantët dhe të afërmit e pushtetit, duke shkatërruar meritokracinë dhe kredibilitetin institucional?
Shoqëria civile, media dhe organet e drejtësisë ftohen të veprojnë me urgjencë për të ndalur këtë rrjet dhe për të garantuar që arsimimi i brezave të ardhshëm të mos bjerë peng i klientelizmit dhe korrupsionit.