Lajme

Të rinjtë me arsim të lartë përballen me papunësi më të lartë në 2025 – diplomimi nuk mjafton më për punësim

Papunësia në mesin e të rinjve shqiptarë mbetet një sfidë serioze, me një përkeqësim të dukshëm për ata që zotërojnë diploma universitare. Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2025, edhe pse shkalla e përgjithshme e papunësisë për grupmoshën 15-24 vjeç ra nga 24.0% në 22.3%, situata për të rinjtë me arsim të lartë është përkeqësuar ndjeshëm.

Në vitin 2024, ky grup kishte normën më të ulët të papunësisë me 18.6%, por në të njëjtën periudhë të vitit 2025, kjo normë u rrit në 22.9%, duke tejkaluar për herë të parë edhe ata me arsim bazë apo të mesëm. Ekspertët e tregut të punës e lidhin këtë prirje me një mbingopje me diploma në fusha të caktuara, mospërputhjen e aftësive të përfituara në universitet me kërkesat reale të tregut, si dhe mungesën e programeve efektive për integrimin profesional të të diplomuarve.

Ndërkohë, papunësia për të rinjtë me arsim bazë është rritur lehtë, nga 19.8% në 2024 në 22.1% në 2025, duke reflektuar dobësimin e sektorëve që tradicionalisht kanë punësuar fuqi punëtore më pak të kualifikuar. Megjithatë, një lajm pozitiv vjen për të rinjtë me arsim të mesëm, për të cilët papunësia ka rënë ndjeshëm nga 28.5% në 22.1%. Kjo rënie sugjeron një rritje të kërkesës për punonjës me trajnim teknik ose profesional, që përputhen më mirë me nevojat aktuale të ekonomisë.

Pavarësisht uljes së përgjithshme të papunësisë në këtë grupmoshë, të rinjtë me arsim të lartë po përballen me sfida të reja që kërkojnë vëmendje urgjente nga politikat publike dhe sistemi arsimor. Rritja e papunësisë mes të diplomuarve është një sinjal alarmi për vendin, pasi shumë prej tyre po zgjedhin emigracionin si rrugë të vetme për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Tendenca e largimit është përforcuar pas pandemisë dhe përkon me një tjetër fenomen shqetësues: tkurrjen e grupmoshave të reja në popullsi. Sipas të dhënave të censuseve, nga viti 2011 deri në 2023, grupmosha 0-29 vjeç është reduktuar me 44%, një nga normat më të larta të plakjes në Europë. Në janar të vitit 2025, mosha mesatare e popullsisë shqiptare arriti në 44.3 vjeç, shumë pranë mesatares së Bashkimit Evropian që ishte 44.7 vjeç. Vetëm një dekadë më parë, në vitin 2015, mosha mesatare në Shqipëri ishte vetëm 27.2 vjeç.

Kjo ecuri paralajmëron për sfida të mëdha demografike dhe ekonomike në vitet në vijim, teksa fuqia punëtore e vendit vazhdon të zvogëlohet dhe një pjesë e mirë e rinisë me arsim të lartë largohet jashtë vendit në kërkim të mundësive më të mira.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button