Rritja e depozitave në euro frenohet në tremujorin e parë, goditja vjen nga bizneset

Rritja e depozitave bankare në monedhën europiane është frenuar ndjeshëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, duke shënuar një rënie të lehtë pas një periudhe disavjeçare me ritme të larta.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të marsit depozitat në euro ranë në 8.01 miliardë euro, me një tkurrje prej 0.4% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Pas një rritjeje të përkohshme në janar, ku arritën në 8.08 miliardë euro, ato shënuan rënie për dy muaj me radhë, duke zbritur në nivelin më të ulët që prej nëntorit 2024.
Megjithatë, në krahasim me marsin e vitit të kaluar, depozitat në euro mbeten në rritje me 8.5%. Por ritmet e rritjes janë ngadalësuar dukshëm, duke rënë në nivele njëshifrore, pas një periudhe (2021–2024) me rritje dyshifrore të nxitur nga flukset valutore të turizmit dhe investimeve të huaja.
Rënia e depozitave në euro këtë fillim viti i atribuohet kryesisht sektorit të biznesit, që ka tërhequr gati 140 milionë euro nga bankat, një tkurrje prej mbi 8%. Në të kundërt, individët kanë vazhduar të rrisin depozitat e tyre në euro, megjithëse me ritme të moderuara.
Kjo ngadalësim mund të jetë një sinjal i rënies së flukseve valutore në ekonomi, në linjë me uljen e ritmeve të hyrjes së shtetasve të huaj në vend gjatë këtij tremujori.
Megjithatë, kursi i këmbimit nuk ka reflektuar ndonjë tronditje të madhe. Euro qëndroi poshtë pragut të 100 lekëve, me një luhatje të vogël në rritje, pas rënies pranë 98 lekëve në fund të vitit 2024.
Në tërësi, depozitat bankare kanë vazhduar të rriten në tremujorin e parë, duke arritur në 1.72 trilionë lekë, një rritje prej 2.2% ose 38 miliardë lekë. Kjo ecuri është mbështetur kryesisht nga depozitat në monedhën vendase, të cilat vijojnë të rriten me ritme të qëndrueshme.