Lajme
Kryesore

Shqipëria në heshtje zgjedhore, 3.7 milionë qytetarë thirren të votojnë më 11 maj

Pas një muaji fushatë intensive, sot në Shqipëri ka nisur zyrtarisht heshtja zgjedhore, ndërsa të dielën, më 11 maj 2025, qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm të Kuvendit. Sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, periudha e heshtjes zgjedhore fillon një ditë para zgjedhjeve dhe zgjat deri në mbylljen e procesit të votimit. Gjatë kësaj kohe, ndalohet çdo formë aktiviteti elektoral apo propagande politike.

Shkelja e heshtjes zgjedhore ndëshkohet me masa të rënda financiare: subjektet politike mund të gjobiten deri në 500,000 lekë, ndërsa mediat që nuk e respektojnë këtë periudhë, rrezikojnë një gjobë deri në 2 milionë lekë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Këto janë zgjedhjet e 11-ta parlamentare në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist. Në garë janë 2.046 kandidatë nga 11 subjekte politike dhe koalicione, që synojnë të sigurojnë 140 vendet në parlament.

Risi e këtyre zgjedhjeve është përfshirja e diasporës në procesin zgjedhor, për herë të parë. Emigrantët shqiptarë votojnë përmes postës, dhe vota e tyre do të numërohet në KQZ sikur të ishte hedhur në qarkun e banimit në Shqipëri. Megjithatë, ky proces ka sjellë reagime dhe akuza për parregullsi, përfshirë raste kur zarfi ka mbërritur pa fletën e votimit apo nuk është dorëzuar fare.

Sipas të dhënave zyrtare, të drejtë vote këtë të diel kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, përfshirë 114,642 qytetarë që votojnë për herë të parë.

Në këtë garë marrin pjesë këto 11 forca politike:

1.Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore

2.Partia Lëvizja Bashkë

3.Lëvizja Atdheu

4.Koalicioni Euroatlantik

5.Partia Socialiste

6.Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet

7.Aleanca Kombëtare Shqiptare

8.Aleanca Demokracia e Re

9.Koalicioni Djathtas për Zhvillim

10.Partia Mundësia

11.Partia Social Demokrate

Procesi votues pritet të jetë i ndjeshëm dhe i monitoruar nga afër nga vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë. Rezultatet paraprake priten brenda 48 orëve pas përfundimit të votimit.

Dita e votimit konsiderohet vendimtare për të ardhmen politike të vendit për katër vitet e ardhshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button