Rritja e çmimeve të energjisë rrezikon prodhuesit kosovarë, OEK kërkon pezullimin e daljes në tregun e lirë

Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës kanë shprehur shqetësim të thellë për faturat e energjisë elektrike të muajve të fundit, të cilat po bëhen një barrë të papërballueshme për sektorin prodhues.
Sipas komunikatës së OEK-së, dalja e detyrueshme e prodhuesve në tregun e lirë ka rezultuar me çmime shumë më të larta për bizneset prodhuese krahasuar me konsumatorët në furnizim të rregulluar. Konkretisht, bizneset prodhuese kanë paguar 162 €/MWh në qershor dhe 203 €/MWh në korrik 2025, ndërsa konsumatorët e tjerë vetëm 65–75 €/MWh.
“Ora e fundit ka treguar se paralajmërimet tona ishin të sakta. Në kulmin e verës, kur normalisht çmimet duhet të ulen, faturat e prodhuesve janë rritur në nivele rekord. Në dimër, çmimet mund të arrijnë edhe 300 €/MWh, me pasoja të pariparueshme për ekonominë vendore,” thuhet në komunikatë.
OEK paralajmëron se kjo situatë mund të shkaktojë mbyllje fabrikash, humbje të mijëra vendeve të punës, rënie të prodhimit vendor dhe rritje të varësisë nga importet.
Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të detyrimit për daljen në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke e konsideruar këtë si hap të domosdoshëm për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe evitimin e një krize ekonomike.