Rritja e çmimeve të biletave për finalen e FA Cup revolton tifozët anglezë

Federata Angleze e Futbollit ka shkaktuar zemërim të madh mes tifozëve pas vendimit për të rritur çmimet e biletave për finalen e madhe të FA Cup, e cila do të zhvillohet më 17 maj në “Wembley Stadium”.
Çmimet e biletave kanë pësuar rritje të konsiderueshme krahasuar me finalen e vitit 2024. Biletat e kategorisë së parë do të kushtojnë 175 stërlina, një rritje prej 30 stërlinash ose 20%. Kategoria e dytë do të shitet për 125 stërlina, me një rritje prej 8.7%, ndërsa biletat e kategorisë së tretë do të kushtojnë 75 stërlina (7% rritje). Kategoria e katërt, më e lira, ka pësuar rritje me 11% dhe do të shitet për 50 stërlina.
Ky vendim ka ngjallur reagime të ashpra sidomos nga tifozët e Mançester Sitit dhe Kristal Palasit, të cilët e konsiderojnë të pajustifikueshme politikën e re të çmimeve. Ata kanë paralajmëruar bojkotim të mundshëm të finales, duke përmendur si shembull gjysmëfinalen mes Sitit dhe Notingemit, ku qindra tifozë të Sitit refuzuan të blinin bileta, duke krijuar një atmosferë të ftohtë dhe pamje zhgënjyese në stadium.
Në reagimin e saj, Federata e Futbollit ka theksuar se të gjitha të ardhurat nga biletat do të riinvestohen në zhvillimin e sportit, por kjo nuk ka mjaftuar për të qetësuar tifozët, të cilët kërkojnë një politikë më të drejtë dhe të përballueshme për ndjekjen e ndeshjeve të mëdha.