Rritet lehtë fluksi në pikën kufitare të Kakavijës, por nuk pritet kthim masiv i emigrantëve për zgjedhje

Në pikën kufitare të Kakavijës është vërejtur një rritje e lehtë e lëvizjeve gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare nga Shërbimet e Policisë Kufitare, janë përpunuar gjithsej 5.001 shtetas në hyrje-dalje, prej të cilëve 3.453 në hyrje dhe 1.548 në dalje. Po ashtu, janë regjistruar 1.774 mjete që kanë kaluar kufirin, nga të cilat 1.235 në hyrje dhe 539 në dalje.
Ky fluks paraqet një ritëm pothuajse normal për ditët e zakonshme, megjithëse evidentohet një rritje prej rreth 20% krahasuar me ditët e mëparshme.
Pavarësisht kësaj lëvizjeje, autoritetet nuk presin një kthim të lartë të emigrantëve për shkak të zgjedhjeve, ndryshe nga vitet e kaluara. Kjo lidhet edhe me faktin që rreth 8.500 emigrantë janë regjistruar për të votuar me postë, duke shmangur udhëtimin drejt Shqipërisë për të ushtruar të drejtën e votës.