Rrezik financiar për Kosovën pas dështimit të zgjedhjes së qeverisë së re: mund të bllokohen pagat dhe projektet publike në vitin 2026

Pas dështimit të Albin Kurtit për të marrë një mandat të tretë si kryeministër, deputetë dhe ekspertë të ekonomisë kanë paralajmëruar për pasoja serioze që mund t’i kanosen vendit nëse nuk miratohet me kohë Ligji për Buxhetin e vitit 2026.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar situatën si “rrezik të paparashikueshëm”, duke theksuar se pa një kuvend funksional, Kosova mund të mbetet pa buxhet dhe pa funksionim institucional.
“Rreziku që i kanoset vendit në muajin mars, pa qeveri, është i paparashikueshëm. Na duhet të kemi kuvend funksional sa më shpejt, qoftë edhe pas zgjedhjeve të ardhshme, për të miratuar buxhetin e ri dhe për të rikthyer normalitetin,” – deklaroi Krasniqi.
Të njëjtin shqetësim e ndan edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili paralajmëroi se vonesat po e afrojnë Kosovën drejt “pikës kritike” me përfundimin e vitit fiskal.
“Mungesa e buxhetit për vitin 2026, marrëveshjet ndërkombëtare që presin ratifikim, dhe shumë institucione që kanë mbetur pa borde apo pa mbikëqyrje, e bëjnë situatën gjithnjë e më të ndërlikuar,” – tha Murati.
Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, qeveria duhet ta miratojë projektbuxhetin deri më 31 tetor, ndërsa Kuvendi duhet ta miratojë përfundimisht deri më 31 dhjetor. Por që nga marsi, Kosova nuk ka një qeveri me mandat të plotë, ndërsa ligji nuk i lejon qeverisë në dorëheqje të miratojë projektligje – përveç atij për buxhetin.
Drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, paralajmëron se nëse nuk shfrytëzohet kjo e drejtë ligjore dhe nuk zgjaten ndarjet buxhetore pas shkurtit 2026, vendi mund të përballet me bllokadë financiare.
“Ligji lejon që ndarjet buxhetore të vitit 2025 të vazhdojnë deri në fund të shkurtit 2026. Pas këtij afati, nëse nuk konstituohet Kuvendi, do të bllokoheshin të gjitha pagesat në sektorin publik – përfshirë pagat, projektet kapitale dhe shpenzimet operative – përveç atyre për servisimin e borxhit publik,” – shpjegoi Hasaj.
Pas seancës së së dielës, liderët partiakë janë shprehur të gatshëm për zgjedhje të reja para përfundimit të këtij viti, në përpjekje për të shmangur një krizë të mundshme financiare dhe institucionale në fillim të vitit 2026.



