Rrëmbim në Gjilan – viktima arrin të shpëtojë, policia arreston një të dyshuar

Një rast rrëmbimi është raportuar në Gjilan, ku një person është marrë me forcë nga tre persona dhe është dërguar në një vilë, por ka arritur të largohet.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 7 tetor 2025, rreth orës 22:00. Viktima, një mashkull kosovar, ka pranuar trajtim mjekësor pas ngjarjes.
“Më 10.10.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili dyshohet se me dy persona të tjerë e kishte marrë viktimën dhe e kishte dërguar në një vilë, prej nga viktima kishte arritur të largohej. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje,” thuhet në raportin policor.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e dy personave tjerë të përfshirë janë në vazhdim.



