Rozeta Hajdari ftohet si e pandehur për aferën e rezervave shtetërore – vendos të mbrohet në heshtje

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, është ftuar për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës në kuadër të hetimeve për aferën e rezervave shtetërore.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, ka deklaruar për Teve1 se thirrja ndaj Hajdarit është bërë me qëllim të “konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit”.
Megjithatë, ministrja në detyrë ka zgjedhur të mos japë deklaratë, duke u mbrojtur në heshtje – një e drejtë ligjore që e kishte shfrytëzuar edhe gjatë thirrjes së saj të parë lidhur me këtë rast.
“Rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale,” theksoi Luta, duke shtuar se hetimet për aferën e rezervave shtetërore po vazhdojnë me intensitet.
Afera e rezervave shtetërore ka ngjallur debat të gjerë publik dhe ka vënë në qendër të vëmendjes disa figura të larta të institucioneve shtetërore, përfshirë edhe ish-zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në furnizimet e dyshimta. Prokuroria pritet të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat dhe përgjegjësitë konkrete në ditët në vijim.