Rikthehet bora në aksin Bogë–Theth, rruga pa mirëmbajtje për shkak të konflikteve mes firmave

Rikthehen reshjet e borës në zonat malore të veriut, konkretisht në aksin rrugor Bogë–Theth në qarkun e Shkodrës. Si pasojë e motit të përkeqësuar gjatë 24 orëve të fundit, në këtë segment është krijuar një shtresë e hollë bore. Aktualisht, rruga mbetet e kalueshme për automjetet, por situata mund të ndryshojë në orët në vijim.
Rruga që të çon në Theth vijon të jetë pa mirëmbajtje, pasi firmat e kontraktuara për pastrimin e saj janë përfshirë në një proces ankimimi ndaj njëra-tjetrës. Mungesa e ndërhyrjes rrezikon ta përkeqësojë gjendjen, sidomos nëse bora ngrihet dhe shndërrohet në akull, duke e bërë të vështirë lëvizjen për mjetet që qarkullojnë në këtë zonë malore.
Përveç borës, në disa pjesë të rrugës janë raportuar edhe rënie gurësh, çka shton më tej rrezikun për drejtuesit e mjeteve.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe sugjerojnë shmangien e lëvizjes në këtë aks nëse nuk është domosdoshmëri.