Rënia e euros godet prodhimin: Eksportet në Pikiatë, importet në rritje dhe deficiti tregtar në rekord historik

Rënia e vazhdueshme e euros ndaj lekut ka krijuar një efekt zinxhir në ekonominë shqiptare, duke goditur fort sektorin e prodhimit dhe duke rritur varësinë nga importet. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Monitor, viti 2024 shënoi rënien më të madhe të eksporteve që nga viti 2005, ndërsa importet në sasi shënuan një rritje me 14%, duke çuar deficitin tregtar në një nivel rekord prej 521,7 miliardë lekësh (5,2 miliardë euro).
Ministria e Financave ka përllogaritur se efekti negativ i kursit të këmbimit mbi të ardhurat doganore ka arritur në 17 miliardë lekë (170 milionë euro) gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, çmimet më të lira të mallrave të importuara kanë nxitur një rritje të sasisë së importeve, duke ruajtur në nivel të lartë të ardhurat buxhetore.
Në vitin 2024, importi i taksuar në peshë u rrit me 16% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në vlerë vetëm me 6%. E kundërta ndodhi me eksportet, të cilat u rritën në sasi me vetëm 1%, por ranë në vlerë me 14% për shkak të kursit të këmbimit.
Kursi mesatar i euros ka vijuar të bjerë, nga 123 lekë në vitin 2021 në 102.8 lekë në vitin 2023 dhe më tej në rreth 100.7 lekë në vitin 2024. Ky zhvlerësim e ka bërë euron më të lirë, duke ulur të ardhurat për njësi të eksportuar dhe duke rritur konkurrencën e mallrave të huaja në tregun vendas.
Rritja e importeve është nxitur kryesisht nga sektori i turizmit dhe ndërtimit, që kanë nevojë për mallra si çadra dielli, mobilie, çimento, xhama dhe materiale të tjera ndërtimi. Ndërkohë, prodhuesit vendas po hasin vështirësi për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare dhe për të përballuar kostot e brendshme në rritje.
Pas dekadash përpjekjesh për ndërtimin e markës “Made in Albania”, ekonomia shqiptare po përballet me sfida të reja që po rrezikojnë arritjet e deritanishme në sektorin e prodhimit dhe eksportit. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa urgjente për të mbrojtur prodhuesit vendas dhe për të rikthyer konkurrueshmërinë, ekonomia rrezikon të kthehet në një model të bazuar kryesisht në konsum dhe importe.