Ilir Meta merr mbështetjen e Dr. Gentian Çalës: 11 Maji, moment historik për transformimin e vendit

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ndarë një mesazh mirënjohjeje dhe angazhimi politik përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku thekson mbështetjen publike të marrë nga Dr. Gentian Çala, të cilin e cilëson si mik, bashkëluftëtar dhe intelektual me vlera të veçanta.
Meta e konsideron këtë përkrahje si një përgjegjësi të lartë dhe e lidh drejtpërdrejt me angazhimin e tij ndaj komuniteteve të Qarkut të Korçës që jetojnë në Tiranë, duke përmendur veçanërisht pogradecarët, korçarët, devollinjtë dhe kolonjarët. Ai thekson lidhjet e tij të qëndrueshme me këto zona dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’i mbështetur me projekte zhvillimore.
“Mbështetja e një miku, bashkëluftëtari dhe intelektuali si Dr. Gentian Çala, ka vlerë të shumëfishtë dhe më mbush me kënaqësi,” shkruan Meta në postimin e tij, duke shtuar se do të përmbushë me përkushtim misionin për ndryshim dhe zhvillim.
Ilir Meta e cilëson 11 majin si një “moment historik madhështor” që do të shënojë transformimin e vendit dhe u bën thirrje qytetarëve të votojnë për Koalicionin “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe për të personalisht në Qarkun Tiranë.