Kosova
Kryesore

Rënia e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare pritet të reflektohet edhe në Kosovë

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë treguar një tendencë stabilizimi dhe rënie gjatë vitit 2025, pas periudhës së rritjes së shpejtë që pasoi agresionin rus dhe vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare. Kështu vlerëson ekonomisti Sejdi Rexhepi në një intervistë për Ekonomia Online, ku thekson se ndryshimet aktuale janë rezultat i balancimit të tregut global dhe rritjes së prodhimit nga vendet e tjera.

“Çmimet janë reflektim i kërkesës së tregjeve ndërkombëtare dhe produkteve të saj. Në rastin e naftës kemi të bëjmë me specifika gjeopolitike që kanë ndikuar tek ndryshimet e çmimeve gjatë tre-katër viteve të fundit. Pas agresionit rus dhe sanksioneve, çmimet u rritën ndjeshëm, por prodhuesit e tjerë arritën të mbulojnë hendekun e krijuar, duke stabilizuar tregun,” tha Rexhepi.

Ai thekson se vitet 2024 dhe 2025 karakterizohen nga stabilizimi dhe rënia e lehtë e çmimeve, si rezultat i rritjes së ofertës dhe zhvillimeve globale që kanë ulur kërkesën për naftë.
“Rritja e burimeve alternative të energjisë, sidomos në industrinë e automobilave në Kinë, Evropë dhe SHBA, ka ndikuar në uljen e kërkesës për naftë. Kjo po e shtyn tregun drejt çmimeve më të ulëta,” shpjegoi ai.

Sipas ekonomistit, edhe Kosova do të ndjejë efektet e kësaj rënieje, por kërkohet monitorim i kujdesshëm institucional për të siguruar që çmimet të pasqyrojnë realisht zhvillimet ndërkombëtare.
“Kosova është pjesë e tregut global, prandaj çmimi i importit do të ndikohet nga kuotat ndërkombëtare. Megjithatë, efektet nuk reflektohen menjëherë për shkak të rezervave të vjetra të tregtarëve. Nëse kjo vonesë zgjat, institucionet duhet të ndërhyjnë për të parandaluar mbajtjen e çmimeve të larta artificialisht,” deklaroi Rexhepi.

Sipas tij, stabilizimi i tregut të naftës është një sinjal pozitiv për ekonominë, por kërkon transparencë dhe kontroll të vazhdueshëm në tregun vendor.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button