Reçica: Vendimi i Gjykatës tregon qartë – nuk mund të jesh njëkohësisht deputet e ministër

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një mesazh të qartë lidhur me ushtrimin e dy funksioneve publike në të njëjtën kohë.
Në fjalën e tij gjatë diskutimit në pjesën e seancës, pas dështimit të 52-të me radhë për konstituimin e Kuvendit, Reçica tha se vendi po përballet me një situatë të rënduar politike dhe institucionale.
“Jemi futur në një proces të rëndë dhe të ndërlikuar, duke pasur parasysh se krejt çka po ndodh është e dëmshme për vendin. Vendimi i fundit i Gjykatës tregoi qartë se nuk mund të jesh njëkohësisht edhe deputet, edhe kryeministër a ministër,” deklaroi ai.
Reçica i bëri thirrje të gjithë akterëve politikë që të respektojnë vendimet e institucioneve të drejtësisë dhe të veprojnë në përputhje me Kushtetutën, për të shmangur thellimin e krizës institucionale në vend.