Kosova

Ambasadorët largohen nga Kuvendi – Seanca vazhdon pa ta

Në ditën e parafundit të afatit 30-ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në sallën e seancave u panë të pranishëm ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve perëndimore, përfshirë ata të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, si dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Megjithë pritjet për një zhvillim përfundimtar, seanca e 52-të konstituive dështoi sërish. Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë, mbeti në të njëjtin qëndrim, duke udhëhequr përmes kryesuesit Avni Dehari me insistimin për të hedhur në votim Komisionin për votim të fshehtë – një propozim që nuk arriti të marrë përkrahjen e partive të tjera, edhe pas dhjetëra përpjekjesh.

Deputetët e partive që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar ishin të pranishëm në sallë, duke refuzuar të largohen dhe duke kërkuar të drejtën për të përdorur foltoren, të cilën kryesuesi ua ka mohuar.

Ambasadorët e huaj u larguan nga salla në momentin që kryesuesi Dehari ndërpreu seancën. Kjo e fundit pritet të vazhdojë nesër në orën 14:00 – në përpjekjen e fundit për konstituimin e Kuvendit para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e cila parasheh pezullimin e punës së deputetëve për dy javë për moszbatim të urdhrit të saj.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button