Rajoni

Reagim i befasuar i kancelarit austriak nga Vuçiqi gjatë vizitës në Beograd

Kancelari austriak Christian Stocker është shprehur i befasuar nga reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq gjatë konferencës për shtyp në vizitën e tij të parë në Beograd.

Gazetarët e kishin pyetur Vuçiqin për protestat disamujore kundër korrupsionit dhe ngecjen e Serbisë në rrugën drejt BE-së. Presidenti serb u duk i bezdisur dhe reagoi emocionalisht, duke theksuar dy herë: “Unë nuk jam diktator, siç ju gjithmonë më paraqitni mua.”

Kancelari Stocker deklaroi më vonë se ishte habitur nga reagimi i Vuçiqit: “Unë përballem me pyetje kritike çdo ditë. Kjo duhet të durohet. Kjo është liria e medias.”

Gazeta austriake Kleine Zeitung thekson se performanca e Vuçiqit konfirmon sfidat që ai paraqet si partner për BE-në, duke përmendur mungesat në sundimin e ligjit, dialogun e ngrirë me Kosovën dhe refuzimin për të harmonizuar politikën e jashtme me BE-në. Në katër vitet e fundit, Serbia nuk ka arritur të hapë kapituj të rinj në negociatat për anëtarësim, duke lënë anëtarësimin në BE si një perspektivë të largët.

Protestat kundër korrupsionit në Serbi vazhdojnë që nga nëntori i vitit të kaluar, pas tragjedisë së stacionit hekurudhor të rinovuar në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button