Rajoni

200 adresa të shqiptarëve në jug të Serbisë të pasivizuara gjatë këtij viti

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka bërë të ditur se autoritetet serbe kanë pasivizuar 200 adresa të shqiptarëve në jug të Serbisë gjatë periudhës janar–korrik 2025.

Sipas Lutfiut, 174 prej tyre ndodhen në komunën e Preshevës dhe 26 në komunën e Bujanocit. Ai shtoi se ka dyshime për saktësinë e të dhënave nga Bujanoci dhe pret një konfirmim të mëtejshëm.

“Çfarë po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik”, tha Lutfiu, duke e konsideruar këtë veprim si një sulm ndaj të drejtave të shqiptarëve.

Pasivizimi i adresave nënkupton fshirjen e qytetarëve nga regjistrat e banesave, gjë që çon në humbjen e shtetësisë serbe dhe të drejtave civile, përfshirë të drejtën për votë, pronësi, sigurim shëndetësor, pension dhe punësim. Çështja është përmendur edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023, ku theksohet se pasivizimi duket të jetë kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.

Nëntorin e kaluar, Bashkimi Evropian kërkoi nga Beogradi sqarim mbi këtë problem, duke shprehur shqetësim për ndikimin e masave administrative ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë.

Në këtë kontekst, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Serbi, duke u takuar më 13 gusht me deputetin Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetarin e KKSH-së, Enkel Rexhepi.

Po ashtu, Kamberi ka dorëzuar një draft-rezolutë në Kuvendin e Serbisë për të adresuar situatën e shqiptarëve në jug të Serbisë, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të pasivizimit të adresave dhe përmbushjen e marrëveshjeve të viteve 2001, 2009 dhe 2013.

Lugina e Preshevës, që përfshin Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, është e banuar kryesisht nga shqiptarët dhe në raportet ndërkombëtare konsiderohet e izoluar, duke marrë vëmendje kryesisht gjatë periudhave zgjedhore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button