Kosova

Raste të sëmundjes “Gjuha e kaltër” konfirmohen në Marec të Prishtinës dhe Brus të Lipjanit

Ngjarjet e fundit në disa ferma kanë ngritur dyshime për përhapjen e sëmundjes “gjuha e kaltër”, e cila prek delet, gjedhet dhe dhitë. Këto dyshime u konfirmuan nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, që raportoi raste konkrete në zonat e Marecit në Prishtinë dhe Brusit në Lipjan.

Sadik Heta, drejtor i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve, njoftoi për masat që po merren për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Ai tha se fermat e prekura janë vendosur në karantinë dhe është ndaluar lëvizja e kafshëve nga këto zona për të parandaluar përhapjen në ferma të tjera.

“Lëvizja e kafshëve është një nga shkaktarët kryesorë të bartjes së sëmundjes, prandaj karantinimi është masa e parë preventive,” tha Heta.

Ai theksoi se kjo sëmundje nuk transmetohet nga kafshët tek njerëzit dhe nuk është zonotik, por ka një efekt të madh ekonomik në bujqësi. Përhapja bëhet përmes insekteve, kryesisht mushkonjave të familjes Colicoides.

Veterinari Bledion Rushiti dha këshilla për fermerët se si të mbrohen nga kjo sëmundje. Ai rekomandoi përdorimin e sprejit kundër insekteve në stallat e bagëtive dhe aplikimin e repelimit si metodë efektive për luftimin e mushkonjave. Po ashtu, është e rëndësishme të evitohet kullotja në temperatura të larta dhe me lagështi të lartë, ku mushkonjat shumohen më shumë.

Rushiti apelon që fermerët të jenë vigjilentë dhe të ndjekin masat parandaluese për të minimizuar rrezikun e përhapjes së “gjuhës së kaltër”.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button