Kosova

Rashiq: Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit – besoj se Limaj do ta pranojë ofertën e Kurtit

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Ai paralajmëroi se tejkalimi i këtij afati do të krijonte një situatë me veprime të paparashikueshme për vendin.

“Nëse nuk ndodh konstituimi brenda këtij afati, atëherë hyjmë në një zonë të veprimeve të paparashikueshme. Personalisht nuk jam për të hyrë në atë zonë ku nuk mund të parashikohet reagimi i Gjykatës Kushtetuese apo ndonjë institucioni tjetër,” tha Rashiq në një intervistë për Tëvë1.

Ai u shpreh optimist për një marrëveshje të mundshme mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kreut të Nismës, Fatmir Limaj. Rashiq tha se beson në pragmatizmin e Limajt dhe në gatishmërinë e tij për të pranuar ofertën e Kurtit për bashkëqeverisje.

“Duke e njohur zotin Limaj, besoj shumë – për të mos thënë jam i sigurt – që ai do të pranojë ofertën nga bisedat që janë zhvilluar me zotin Kurti,” theksoi ai.

Ndërkohë, Kurti ka konfirmuar se i ka bërë një ofertë konkrete Limajt gjatë takimit të së shtunës, edhe pse nuk ka dhënë detaje shtesë. Sipas raportimeve, Limajt i janë ofruar tri ministri në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme për formimin e qeverisë së re.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button