Kosova
Kryesore

IPK publikon raportin për reagimin e Policisë në thirrjet e qytetarëve: Koha mesatare 13.7 minuta, pa përmirësim nga viti 2022

Departamenti i Inspektimit në kuadër të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit të rregullt për vitin 2025 në fushën “Reagimi në thirrjet e qytetarëve dhe raportimi i aktiviteteve policore”.

Sipas njoftimit të IPK-së, inspektimi është kryer në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve me qëllim të vlerësimit të aftësisë së stacioneve policore për t’u përgjigjur në mënyrë efektive dhe të shpejtë ndaj thirrjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve.

“Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë matja dhe analizimi i kohës së reagimit policor në thirrjet e qytetarëve, vlerësimi i procesit të raportimit dhe dokumentimit të aktiviteteve policore sipas niveleve,” thuhet në komunikatën e IPK-së.

Raporti tregon se koha mesatare e reagimit policor në nivel vendi për vitin 2025 është 13.7 minuta – një shifër identike me atë të matur nga IPK në vitin 2022. Sipas gjetjeve, nuk ka pasur përmirësim të përgjithshëm në kohën e reagimit, ndonëse janë vërejtur disa dallime në nivel stacionesh dhe drejtorish rajonale.

Drejtoritë Rajonale të Ferizajt, Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut rezultojnë me kohën më të shpejtë të reagimit, krahasuar me drejtoritë tjera.

Në kuadër të raportit, IPK ka dhënë katër rekomandime kryesore:

Shtimi i kontrolleve në zyrat e radiokomunikimit në disa stacione për përmirësimin e cilësisë së logut operacional.

Organizimi i trajnimeve për mbajtjen cilësore të logut operacional ose hartimi i një manuali operativ për menaxhimin e thirrjeve.

Analizimi i kohës së reagimit për të identifikuar faktorët që ndikojnë në zgjatjen e saj.

Përmirësimi i raportimit të aktiviteteve policore në të gjitha nivelet.

IPK ka bërë të ditur se raporti i plotë i inspektimit, përfshirë rekomandimet, është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së dhe është i qasshëm për të gjithë të interesuarit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button