Raporti i GLPS: Procedurat gjyqësore për të drejtat pronësore zgjasin deri në 9 vjet, 45% e grave heqin dorë nga trashëgimia

Procedurat gjyqësore në kontestet pronësore në Kosovë zgjasin mesatarisht deri në katër vjet, ndërsa në disa raste deri në nëntë vjet për të filluar shqyrtimi i një padie civile. Kështu thuhet në raportin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me titull “Sfidat e Grave në Realizimin e të Drejtave Pronësore në Kosovë”, i cili u publikua sot.
Autorja e raportit dhe menaxherja e projektit nga GLPS, Dea Fetiu, tha se për 11 muaj janë monitoruar gjashtë gjykata në 60 raste me gjithsej 172 seanca, duke u fokusuar kryesisht në trashëgimi dhe ndarje pasurie pas divorcit.
“Mesatarisht në gjithë Kosovën duhen katër vjet që gjykata të fillojë shqyrtimin e një padie civile. Në Gjykatën Themelore të Prishtinës kemi hasur raste që kanë marrë deri në nëntë vjet për të filluar. Për më tepër, edhe pasi të nisin, shumë seanca shtyhen pa arsye të qëndrueshme,” tha Fetiu.
Raporti thekson se 45 për qind e grave heqin dorë nga trashëgimia, shpesh për shkak të presionit familjar ose premtimeve të pambajtura nga të afërmit. “Kemi raste ku gratë janë bindur të tërhiqen nga padia me premtimin për kompensim nga familjarët, por marrëveshjet nuk janë zbatuar kurrë,” shtoi Fetiu.
Sipas saj, gjykatat ballafaqohen edhe me mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe shpesh procesverbalet përpilohen si shabllone, duke u ndryshuar vetëm emri i palëve.
Edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e vlerësoi problematikën si shqetësuese:
“Përjashtimi i grave nga prona mbetet fenomen, pavarësisht përpjekjeve të shoqërisë civile dhe institucioneve për të ngritur vetëdijen. Gjykata është vetëm një hallkë e sistemit, prandaj autoritetet duhet të mendojnë pse çdo qytetar detyrohet të presë me vite për të realizuar një të drejtë elementare.”
Nga ana tjetër, menaxherja e projektit PIAKOS në ATRC tha se të gjeturat e raportit duhet të shërbejnë për institucionet përgjegjëse. Ajo theksoi se përmes projektit janë ndihmuar mbi 150 familje që të arrijnë deri tek certifikata e pronësisë me regjistrim kadastral.
Raporti evidentoi edhe raste diskriminuese, ku në disa procese gjyqësore është përdorur narrativa se gratë e veja pa fëmijë nuk “meritojnë” të trashëgojnë pasurinë e bashkëshortit.