Raporti i Bankës Botërore: Qytetarët e Ballkanit perceptojnë pabarazi më të madhe se treguesit zyrtarë

Pavarësisht rritjes ekonomike dhe përmirësimeve në treguesit makroekonomikë, qytetarët në Ballkanin Perëndimor perceptojnë se pabarazia ekonomike është në rritje dhe më e theksuar sesa e pasqyruar nga statistikat zyrtare.
Në raportin e rregullt ekonomik të pranverës për Rajonin, Banka Botërore vëren se perceptimi për pabarazinë ekonomike është dukshëm më i lartë sesa matjet objektive, duke ngjallur shqetësim për qëndrueshmërinë sociale dhe kohezionin ekonomik.
Në Shqipëri, ndonëse koeficienti GINI – që mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave – është 36.0, plot 82.2% e qytetarëve perceptojnë se pabarazia është e lartë dhe në rritje. Kjo përqindje është ndër më të lartat në rajon dhe dëshmon për një ndarje të thellë mes të ardhurave reale dhe ndjenjës së përfshirjes sociale.
Një kontrast i ngjashëm evidentohet edhe në vendet e tjera të rajonit. Në Kosovë, për shembull, koeficienti GINI është më i ulët – 29.0 – por më shumë se gjysma e popullsisë (54.8%) ndjen se pabarazia është e theksuar. Në Maqedoninë e Veriut, perceptimi arrin në 82.9%, ndonëse treguesi GINI është 33.6.
Mali i Zi ka një koeficient prej 34.4, ndërsa 49.6% e qytetarëve perceptojnë pabarazi të lartë. Në Serbi, treguesi është 33.1 dhe perceptimi arrin në 67%. Ndërkohë, në Bosnjë dhe Hercegovinë, GINI është 28.8 por 64.4% e qytetarëve ndihen të prekur nga pabarazia.
Banka Botërore thekson se ky hendek mes realitetit statistikor dhe perceptimit shpjegohet nga faktorë si pasiguria në tregun e punës, përhapja e punës informale, polarizimi ekonomik, dhe pabarazitë ndërbrezore, që i prekin veçanërisht të rinjtë.
Edhe pse varfëria është në rënie në shumë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, rreth dy të tretat e popullsisë mendojnë se diferenca mes të pasurve dhe të varfërve është rritur gjatë katër viteve të fundit. Në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut kjo ndjesi është më e fortë, duke kaluar mbi 80%.
Raporti nënvizon se, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve në rajon janë të gatshëm të kontribuojnë financiarisht për të ngushtuar këtë pabarazi, duke e bërë të qartë nevojën për politika të drejta fiskale dhe sociale që sigurojnë një shpërndarje më të barabartë të rritjes ekonomike.
Megjithëse vendet si Shqipëria kanë shënuar stabilitet ekonomik, ulje të borxhit publik dhe përmirësim të bilanceve fiskale, ekonomia reale vazhdon të përjashtojë një pjesë të madhe të popullsisë. Në Shqipëri, pothuajse gjysma e qytetarëve përjetojnë një formë të varfërisë relative apo përjashtimi social.