Aksident tragjik në Tiranë: 70-vjeçari humb jetën duke kaluar trafik-ndarësen

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë, ku një 70-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:25 në rrugën “29 Nëntori”, ku një automjet me drejtues shtetasin J. M., rreth 35 vjeç, ka përplasur një këmbësor të moshuar, i cili po kalonte trafik-ndarësen në një zonë të pasigurt. Si pasojë e goditjes së fortë, i moshuari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Deri tani, viktima mbetet ende i paidentifikuar, ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e viktimës. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në rrugë, veçanërisht në orët e vona të natës.