Raporti i Amnesty International: Në Shqipëri u mohohet shërbimi shëndetësor pacientëve onkologjikë

Amnesty International ka publikuar sot raportin vjetor 2024-2025, ku bën një analizë të situatës së të drejtave të njeriut në 150 shtete të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Raporti, rreth 600 faqe, është siguruar ekskluzivisht nga Syri TV dhe sjell në vëmendje problematika serioze që përballen qytetarët shqiptarë.
Sipas Amnesty International, në Shqipëri pacientëve onkologjikë u mohohet asistenca shëndetësore falas në spitalin publik “Nënë Tereza” në Tiranë, duke i orientuar ata drejt klinikave private me pagesë. Organizata ngre alarmin edhe për përkeqësimin e situatës së lirisë së shtypit, ku shtohet presioni ndaj gazetarëve dhe kufizohet hapësira e medias së lirë.
Ndër të tjera, raporti evidenton se dhuna në familje ndaj grave dhe vajzave mbetet një fenomen i përhapur, ndërsa personat e burgosur përballen me mbipopullim në qendrat e paraburgimit dhe kushte të papërshtatshme shëndetësore.
Një tjetër shqetësim i madh lidhet me trajtimin e emigrantëve dhe refugjatëve. Amnesty kritikon marrëveshjen e fundit të nënshkruar me Italinë për ndërtimin e kampeve për azilkërkuesit e shpëtuar në det, duke ngritur shqetësime për shkelje të lirive dhe të drejtave të tyre.
Në raport theksohet gjithashtu se Komiteti i OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore ka shprehur shqetësim për mungesën e infrastrukturës shëndetësore në Shqipëri, mungesën e stafit mjekësor, mungesën e shërbimeve të specializuara për sëmundjet seksuale dhe riprodhuese, si dhe mungesën e aksesit në shërbime mjekësore në zonat rurale.
Ky raport hedh dritë mbi sfidat serioze që duhen adresuar me urgjencë nga autoritetet shqiptare për të garantuar respektimin e të drejtave bazë të qytetarëve.