Leroy Sane pranë rinovimit me Bayern Munich, refuzon ofertën marramendëse nga Arabia Saudite

Rinovimi i kontratës mes Leroy Sane dhe Bayern Munich është shumë pranë finalizimit. Siç konfirmoi edhe drejtori sportiv Max Eberl pas fitores 3-0 ndaj Mainz të shtunën, marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar, por mungojnë vetëm disa hapa të vegjël për ta konkretizuar.
Sipas burimeve të “Sky Sports DE”, palët synojnë të mbyllin gjithçka brenda një apo dy javësh. Kontrata e re do ta mbajë Sane në “Allianz Arena” deri në vitin 2028. Tashmë, vetëm disa detaje teknike rreth strukturës së kontratës janë në diskutim, ndërsa vullneti i ndërsjellë për vazhdim bashkëpunimi është i padiskutueshëm.
Trajneri i ri Vincent Kompany ka insistuar në qëndrimin e Sane, ndërsa edhe vetë lojtari ka deklaruar hapur dëshirën për të vazhduar karrierën në Bavari. Kjo u konfirmua edhe nga refuzimi i bujshëm i Sane ndaj një oferte joshëse nga Arabia Saudite.
Al-Ittihad, skuadër ku luan edhe Karim Benzema, i kishte ofruar atij një kontratë 4-vjeçare me vlerë 100 milionë euro neto – rreth 25 milionë euro në sezon. Por ylli gjerman e hodhi poshtë ofertën, duke e konsideruar të papërfunduar ciklin e tij te Bayern Munich. Sipas mediave gjermane, ai ndjehet shumë mirë në ambientin bavarez dhe ka si objektiv kryesor fitimin e Ligës së Kampionëve me ekipin.
Kontrata e re do të shoqërohet me një ulje të ndjeshme të pagës, nga 20 milionë euro bruto në vit në rreth 10 milionë euro neto. Megjithatë, përmes bonuseve të ndryshme, përfitimi i tij mund të arrijë deri në 14-16 milionë euro në sezon.
Refuzimi i ofertës saudite është një sinjal i qartë se për Sane, sfida sportive dhe ambienti ku ndodhet kanë përparësi ndaj përfitimit financiar.